E paralajmëroi Trump, Shtëpia e Bardhë po përgatit një test bërthamor
Administrata e Donald Trump ka miratuar rifillimin e testeve me raketa balistike Minuteman III, duke shkaktuar reagime ndërkombëtare, veçanërisht nga Kina.
Burime pranë Pentagonit konfirmojnë se testi do të zhvillohet midis nesër dhe të enjtes, duke përfshirë lëshimin e një rakete nga baza ajrore Vandenberg në Kaliforni drejt atollit Kwajalein në Ishujt Marshall. Raketat Minuteman III, me rreze veprimi mbi 9.600 kilometra, janë pjesë e arsenaleve strategjike amerikane dhe aktualisht numërojnë rreth 400 njësi të vendosura në disa shtete të SHBA-së.
Trump: “Nuk do të jemi të vetmit që nuk testojmë”
Presidenti amerikan deklaroi së fundmi se kishte urdhëruar Pentagonin të rifillonte testet për armët bërthamore, duke akuzuar Rusinë dhe Kinën se i kanë rinisur tashmë. “Ata po testojnë, por nuk flasin për këtë. Nuk dua të jem i vetmi që nuk kryen teste,” tha Trump për CBS. Javën e kaluar, ai përsëriti se testet janë pjesë e masave për të garantuar “parandalimin strategjik” të SHBA-së.
Komentet e tij erdhën pak para takimit me presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa vetëm një muaj më parë Vladimir Putin njoftoi një test të raketës bërthamore Burevestnik. Sipas CBS, Kina nuk ka kryer asnjë shpërthim bërthamor që nga viti 1996.
Kina reagon: “SHBA të respektojë marrëveshjet e çarmatimit”
Pekini hodhi poshtë akuzat e Trump, duke theksuar se mbetet e angazhuar për paqen bërthamore. “Si një shtet përgjegjës, Kina ka respektuar pezullimin e testeve bërthamore dhe shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin hapa konkretë për ruajtjen e regjimit ndërkombëtar të çarmatimit,” deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, sqaroi se testet nuk do të përfshijnë shpërthime bërthamore, por do të testojnë komponentë të sistemit për të garantuar gatishmërinë e tij në rast emergjence.
Mes tensioneve globale, SHBA teston sinjalin e forcës
Ky hap vjen në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, ndërsa SHBA përpiqet të ruajë ekuilibrin strategjik ndaj fuqive bërthamore rivale. Trump ka përjashtuar për momentin dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë, por la të hapur mundësinë e rishikimit të qëndrimit, një qëndrim që ka zbehur pritshmëritë e Kievit për mbështetje të re ushtarake.